Të dhëna të përgjithshme – nga statuti
Institucioni Shëndetësor Publik Instituti Universitar i Radiologjisë Shkup (në tekstin e mëtejmë Instituti Universitar) është institucion shëndetësor publik me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj, marrëveshje kolektive, statut dhe akte të tjera të përgjithshme. Instituti Universitar ka cilësinë e personit juridik të regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë.
Themelues i Institutit Universitar është Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
A – Emërtimi, selia dhe historiku i shkurtër i institucionit
Emërtimi i shkurtuar i Institutit Universitar është: ISHP Instituti Universitar i Radiologjisë – Shkup. Selia e Institutit Universitar është në Shkup, komuna Qendër, rr. Belgradska pn., në përbërje të Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” – Shkup.
Formimi i atëhershëm i Klinikës së Radiologjisë daton që nga viti i largët 1947, kur u themelua në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë – Shkup. Ky është viti i formimit të shërbimit të organizuar radiologjik të Republikës së Maqedonisë dhe formimit të radiologjisë si disiplinë e veçantë shkencore. Lulëzimin e vërtetë institucioni e përjetoi në vitin 1967, kur u ndërtua ndërtesa e re dhe u vunë në përdorim hapësirat e reja të Klinikës së Radiologjisë, të cilat përdoren edhe sot. Në vitet ’70 dhe ’80, Klinika e Radiologjisë ishte qendër drejtuese radiodiagnostike dhe terapeutike në Jugosllavi dhe në këtë pjesë të Ballkanit. Në ato vite u rekrutuan specialistë të rinj të aftë, të cilët vazhdimisht futnin metoda të reja.
Klinika me këtë e realizoi ëndrrën e përjetshme që me radiologjinë të merren vetëm kuadro të specializuara për atë fushë. Klinika shpejt u afirmua dhe edukoi kuadro për nevojat e tërë Republikës së Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë Jugore. Zhvillimi i vazhdueshëm i radiologjisë imponoi nevojën për diferencimin e kësaj disipline shkencore në radiodiagnostikë dhe radioterapi si dy specialitete të pavarura, çka çoi edhe në formimin e dy instituteve të pavarura:
- Klinika e Radiologjisë
- Klinika e Radioterapisë dhe Onkologjisë.
Që nga ai vit 1980, Klinika funksionon në mënyrë të pavarur.
ISHP Instituti Universitar i Radiologjisë – Shkup rrjedh nga ISHP Klinika Universitare e Radiologjisë – Shkup, e cila është formuar me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me ndarjen e Institucionit Publik Qendra Klinike Universitare – Shkup, nr. 19-388/1 të datës 26.06.2007, me datë të regjistrimit 05.09.2007, si institucion shëndetësor publik i pavarur. Në përputhje me Vendimin e Qeverisë nr. 19-3434/1 të datës 08.07.2008, Instituti i Radiologjisë u riregjistrua në Institucionin Shëndetësor Publik Klinika Universitare e Radiologjisë – Shkup. Sipas propozim-statutit të ri të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, nga marsi i vitit 2018, ISHP KU i Radiologjisë vazhdon të funksionojë si Institut Universitar i Radiologjisë.
B – Struktura e organizatës
Organizimi i brendshëm i punës në ISHP Institutin Universitar të Radiologjisë – Shkup bazohet në parimin e qasshmërisë, racionalitetit dhe vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor, si dhe në arritjet bashkëkohore të mjekësisë dhe shkencave të tjera.
Për realizimin e qëllimeve nga paragrafi i mëparshëm, puna në ISHP IU të Radiologjisë – Shkup organizohet në reparte, sektorë, shërbime, sektorë dhe të tjera.
Ekzistojnë repartet e mëposhtme:
- Reparti i radiologjisë torakale;
- Reparti i radiologjisë pediatrike;
- Reparti i radiologjisë abdominale;
- Reparti i radiologjisë muskuloskeletale;
- Reparti i diagnostikës me ultratinguj;
- Reparti i radiologjisë gjinekologjike dhe radiologjisë së gjirit;
- Reparti i radiologjisë gjenitourinare;
- Reparti i neuroradiologjisë dhe radiologjisë intervenuese vaskulare;
- Reparti i tomografisë së kompjuterizuar dhe rezonancës magnetike;
- Reparti i radiologjisë urgjente (i dislokuar në objektin e klinikave kirurgjikale).
Shërbimi për punë administrativo-juridike dhe të përgjithshme; shërbimi për punë ekonomiko-financiare.
Organ drejtues është Drejtori Mjekësor i institutit, u.d. drejtor mjekësor dr. spec. radiolog Gordana Antuleska-Bellçeska. Është konstituuar Këshilli Drejtues si organ i drejtimit, i cili numëron 5 (pesë) anëtarë.
C – Pozicionimi organizativ
Kapaciteti kadrovik
Në Institutin e Radiologjisë janë të punësuar gjithsej 110 persona.
Pajisja
Është instaluar softuer për llogaritjen e pagave, për kontabilitetin material dhe punën financiare, ndërsa caktimi i kontrolleve realizohet përmes programit “Termini Im” nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë.
Është kryer edhe kompjuterizimi i shërbimit të sporteleve dhe kontabilitetit, si dhe kompjuterizimi i dhomave të mjekëve.
Instituti i Radiologjisë nuk hospitalizon pacientë. Punon me pacientë ambulatorë që vijnë nga tërë vendi dhe jashtë tij, si dhe me pacientë spitalorë (të shtrirë) nga klinikat internistike, klinikat kirurgjikale dhe institucionet e tjera shëndetësore që janë pjesë e Qendrës Klinike. Ekzistojnë 15 dhoma diagnostike, një dhomë anesteziologjike që njëkohësisht është edhe dhomë për intervenime, 12 dhoma mjekësh dhe një dhomë për leximin e rezultateve, edukimin e specializantëve dhe për konsultime reciproke të mjekëve specialistë.
